Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja dypalëshe për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Belgjikës.
Sipas Gërvallës, marrëveshja është nënshkruar së bashku me ministren e Drejtësisë së Belgjikës, Annelies Verlinden, dhe synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në luftën kundër krimit.
“Me ministren e Drejtësisë së Mbretërisë së Belgjikës, znj. Annelies Verlinden, nënshkruam Marrëveshjen dypalëshe për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Mbretërisë së Belgjikës”, ka shkruar Gërvalla në profilin e saj në Facebook.
Ajo ka theksuar se kjo marrëveshje pritet të rrisë ndjeshëm efikasitetin në luftimin e krimit transnacional dhe krijon bazë ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore.
“Marrëveshja mes dy vendeve tona mike pritet ndër të tjera të rrisë ndjeshëm efikasitetin në luftimin e krimit transnacional, dhe njëkohësisht krijon bazën ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore”, ka deklaruar ajo.
Sipas ministres, dokumenti përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me praktikat moderne ndërkombëtare.
Po ashtu, marrëveshja përcakton qartë mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale, duke përfshirë kushtet për ofrimin e ndihmës, bazat për refuzim dhe procedurat që ndiqen në zbatimin e saj.
Në fund të postimit, Gërvalla ka falënderuar homologen belge për pritjen dhe bashkëpunimin.
“Ministren Verlinden e falënderoj përzemërsisht për mikpritjen e ngrohtë dhe bisedën konstruktive e frytdhënëse, si dhe për angazhimin e përbashkët drejt thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës”, ka përfunduar Gërvalla.


