Skuadra e Lubotenit nga Ferizaj ka fituar Kupën e Kosovës në volejboll për meshkuj, pasi ka mposhtur bindshëm Dritën e Gjilanit në finale.
Ndeshja vendimtare është zhvilluar të dielën në palestrën Palestra 1 Tetori, ku Luboteni ka dominuar gjatë gjithë takimit dhe ka triumfuar me rezultat të pastër 3:0 në sete.
Ferizajasit setin e parë dhe të tretë e kanë fituar me rezultat 25:21, ndërsa setin e dytë me 25:20, duke mos i lënë shumë hapësirë kundërshtarit për rikthim në lojë.
Lojtari më i mirë i finales është shpallur Ahmed Jaser, i cili ka pasur paraqitje të shkëlqyer dhe ka kontribuar dukshëm në këtë sukses të ekipit të tij.


