Një persona është ndaluar në Shtime nga Policia e Kosovës nën dyshimin për substanca të dyshuara narkotike, ndërsa një tjetër është arrestuar dhe është dërguar në vuajtje të dënimit, pasi kërkohej me urdhërarrest të Gjykatës.
Sipas policisë së Kosovës, më datën 30.03.2026, rreth orës 23:00, njësia e patrullës së bashku me njësinë e hetimeve të stacionit policor në Shtime, gjatë patrullimit kanë hasur në një veturë të dyshuar me targa vendore, në të cilën ndodheshin tre persona.
“Gjatë kontrollit të personave dhe të veturës, policia ka gjetur 1.36 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, si dhe 4.67 gram të një substance tjetër të dyshuar, lloji i së cilës nuk dihet dhe e cila më pas është dërguar në laborator për ekzaminim. Gjithashtu është gjetur edhe një grinder (mulli) që shërben për përpunimin e substancave narkotike”, njofton policia.
I dyshuari, sipas policisë, është identifikuar si L.I. (30 vjeç).
Lidhur me rastin, sipas policisë, është njoftuar Njësia Anti-Drogë dhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit “Posedim i substancave narkotike”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, njofton policia.
“Po në të njëjtën ditë, rreth orës 15:10, në rrugën “Sylejman Vokshi” në Shtime, patrulla policore ka arrestuar personin G.R. (25 vjeç), i cili ishte në kërkim në bazë të urdhëresës së Gjykatës në Ferizaj për veprën penale – Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, njofton policia.
Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 20 ditësh.


