Fitorja e fundit e Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë me rezultat 4:3, që na afroi edhe një hap drejt kualifikimit për Kupën e Botës, ka lënë gjurmë të thella jo vetëm në fushë, por edhe në zemrat e lojtarëve dhe tifozëve.
Mbrojtësi i talentuar, Dion Gallapeni, ka ndarë një mesazh mjaft emocional në rrjetet sociale, duke reflektuar peshën e madhe që mbart kjo fitore për shtetin e Kosovës.
Përmes disa fotografive nga ndeshja historike, ku shihet i përqafuar me shokët e skuadrës dhe me fanellën e mbuluar nga balta e betejës, Gallapeni ka shprehur krenarinë e tij të papërshkrueshme.
”Për çdo zemër shqiptare 🇽🇰. Për çdo sakrificë, kjo fitore ka peshë historie! Krenar të jap gjithçka për këtë vend! 🇽🇰”, ka shkruar ai.
Ky postim ka marrë menjëherë mijëra pëlqime dhe komente mbështetëse nga sportdashësit, të cilët vlerësojnë lart angazhimin dhe shpirtin luftarak të treguar në fushë.
Gallapeni po dëshmohet çdo ditë e më shumë si një shtyllë e rëndësishme e mbrojtjes dardane, duke treguar se për ngjyrat e Kosovës sakrifica nuk ka kufi.
Ndryshe, Kosova do të luajë finalen e madhe të “play-off”-it ndaj Turqisë. Kjo përballje historike do të zhvillohet të martën, më 31 mars, duke filluar nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të gjithë sytë janë te “Dardanët”, të cilët kërkojnë të shkruajnë faqen më të lavdishme të futbollit kosovar.



