Armë zjarri, karikatorë, fishekë e pajisje tjera ushtarake ka gjetur Policia e Kosovës gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar në fshatin Radosevika, të Zubin Potokut.
“Njësiti policor gjatë patrullimit në një shtëpi të pabanuar ka hasur në një armë zjarri AK-47, dy karikator (njëri i mbushur me 27 fishekë) dy fishekë te gjuetisë dhe disa pajisje tjera ushtarake”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pasi kanë identifikuar pronarin, policia thotë se të njëjtit i është bastisur edhe shtëpia tjetër në Zubin Potok, ku po ashtu kanë gjetur armë, derisa i dyshuari është arrestuar edhe është dërguar në mbajtje.
“Lidhur me rastin është identifikuar pronari i shtëpisë, i cili po ashtu posedon edhe një shtëpi në Zubin Potok në të cilën me urdhër të prokurorit është kryer bastisje dhe janë gjetur: një armë e gjatë AK-47, katër karikator me 120 fishekë. Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë për këtë rast.


