“Australia do të vendosë një avion ushtarak me rreze të gjatë veprimi dhe raketa në rajonin e Gjirit”, tha sot kryeministri australian, Anthony Albanese
Australia do të vendosë një avion ushtarak me rreze të gjatë veprimi dhe raketa në rajonin e Gjirit, tha sot kryeministri Anthony Albanese duke shtuar se ky veprim synon të ndihmojë në mbrojtjen e qytetarëve australianë gjatë konfliktit të vazhdueshëm, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët në Canberra, Albanese tha se Australia do të dërgojë një avion mbikëqyrës E-7A Wedgetail në rajonin e Gjirit për të ofruar zbulim me rreze të gjatë veprimi dhe për të ndihmuar në sigurimin e hapësirës ajrore mbi zonën.
“Wedgetail do të ofrojë aftësi zbulimi me rreze të gjatë veprimi, të cilat do të ndihmojnë në mbrojtjen dhe sigurimin e hapësirës ajrore mbi Gjirin. Wedgetail dhe personeli mbështetës i Forcave të Mbrojtjes Australiane do të vendosen për katër javë fillestare në mbështetje të vetëmbrojtjes kolektive të vendeve të Gjirit”, tha ai.
Kryeministri tha se vendimi erdhi pas diskutimeve me Mohammed bin Zayed Al Nahyan, presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), si dhe kërkesave nga partnerët rajonalë.
Ai shtoi se Australia synon t’u ofrojë Emirateve të Bashkuara Arabe raketa të përparuara ajër-ajër me rreze të mesme veprimi. Albanese theksoi se konflikti në Lindjen e Mesme është intensifikuar gjatë javës së kaluar, me disa vende në të gjithë rajonin që përballen me kërcënime me raketa dhe dronë.
Sipas tij, vetëm Emiratet e Bashkuara Arabe kanë kapur më shumë se 1.500 raketa dhe dronë, duke paralajmëruar se sulmet paraqesin rreziqe serioze për jetën e civilëve.
“Ka më shumë se 20 mijë australianë që jetojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe rreth 115 mijë në të gjithë Lindjen e Mesme”, tha Albanese duke shtuar se mbrojtja e australianëve jashtë vendit mbetet përparësia kryesore e qeverisë.
Megjithatë, ai sqaroi se qeveria e tij nuk po ndërmerr veprime sulmuese kundër Iranit dhe nuk do të vendosë trupa tokësore.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë më shumë se 1.250 njerëz, përfshirë ish-udhëheqësin suprem Ajatollah Ali Khamenei, mbi 150 nxënëse shkolle dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.
Irani është hakmarrë me breshëri të gjera që kanë shënjestruar bazat amerikane, objektet diplomatike dhe personelin ushtarak në të gjithë rajonin si dhe shumë qytete izraelite.



