Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka reaguar sërish në rrjetin social X lidhur me përshkallëzimin e tensioneve mes Irani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, duke theksuar se Teherani do të mbrojë vendin nga çdo agresion ushtarak.
Në një postim të publikuar këtë të shtunë, Pezeshkian deklaroi se Republika Islamike ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e marrëdhënieve miqësore me vendet e rajonit.
“Republika Islamike e Iranit ka theksuar gjithmonë ruajtjen dhe vazhdimin e marrëdhënieve miqësore me qeveritë e rajonit, të bazuara në fqinjësi të mirë dhe në respekt të ndërsjellë për sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, shkroi ai.
Megjithatë, presidenti iranian shtoi se kjo qasje nuk përjashton të drejtën e vendit për t’u mbrojtur.
“Kjo nuk e mohon të drejtën e natyrshme të Iranit për të mbrojtur veten ndaj agresionit ushtarak nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe regjimi sionist i Izraelit. Ne qëndrojmë të palëkundur deri në frymën e fundit për mbrojtjen e vendit tonë dhe për rezistencë”, theksoi Pezeshkian.
Ai nënvizoi gjithashtu se operacionet e ndërmarra nga Irani janë, sipas tij, me karakter mbrojtës dhe të drejtuara vetëm ndaj objektivave që konsiderohen burim i sulmeve kundër vendit.
“Operacionet mbrojtëse të Iranit janë të drejtuara ekskluzivisht kundër objektivave dhe objekteve që janë burimi dhe origjina e veprimeve agresive kundër kombit iranian, dhe ne i konsiderojmë ato objektiva legjitime”, shkroi presidenti iranian.
Në reagimin e tij, Pezeshkian shtoi se Irani nuk ka shënjestruar vendet fqinje apo aleate në rajon.
“Ne nuk kemi sulmuar vendet tona mike dhe fqinje; përkundrazi, kemi shënjestruar bazat ushtarake, objektet dhe instalimet e SHBA-së në rajon”, përfundoi ai.



