Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi se një nëndetëse amerikane ka fundosur me silur një anije luftarake iraniane në Oqeanin Indian. Pentagoni ka publikuar disa pamje nga momenti i goditjes së anijes iraniane.
Anija e fundosur thuhet të jetë IRIS Dena, në bord të së cilës mendohet se ndodheshin rreth 180 persona. Deri tani janë shpëtuar 32 persona, ndërsa autoritetet e Sri Lankës, për transmetuesin publik britanik BBC kanë konfirmuar se janë gjetur rreth 80 trupa.
Në të njëjtin konferencë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, gjenerali Dan Caine, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të godasin “progresivisht më thellë në territorin iranian”, duke sinjalizuar një fazë të re përshkallëzimi.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të dërgojë një anije luftarake në Mesdheun Lindor pas sulmeve ndaj një baze britanike në Qipro, megjithëse dislokimi nuk pritet të ndodhë këtë javë.
Nga ana tjetër, Izraeli ka njoftuar se ka goditur “shtabet e institucioneve të sigurisë” në të gjithë Teheran. Autoritetet iraniane kanë shtyrë ceremoninë tre-ditore të varrimit për ish-Udhëheqësin Suprem, Ali Khamenei. Ndërkohë banorë të Teheranit kanë thënë për BBC-në se situata po përkeqësohet çdo ditë.
Sulme të dyshuara nga Irani janë raportuar edhe në Arabinë Saudite dhe Kuvajt, ndërsa Turqia ka bërë të ditur se mbrojtja ajrore e NATO-s ka rrëzuar një raketë iraniane.
Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian u ka thënë shteteve të Gjirit se Irani nuk kishte zgjidhje tjetër por të kundërpërgjigjet sulmeve të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Paralelisht, Izraeli ka kryer goditje edhe në Libani, ku objekte civile, përfshirë një hotel, janë prekur nga sulmet. E Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Liban, Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban ka thënë se ushtria izraelite është futur nëpër disa fshatra në afërsi të Vijës së Kaltër, kufirit mes Libanit dhe Izraelit të shënuar nga OKB-ja.


