I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, sot pritet të zhvillojnë takime me krerët institucional të Kosovës, si dhe me opozitën e vendit.
Escobar dhe Lajçak thuhet se do të bëjnë përpjekje për të bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.
Derisa të martën për vizitë në Prishtinë erdhi i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, sot në takime me krerët e shtetit i bashkohet edhe i dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Siç është njoftuar Escobar dhe Lajçak në orën 14:00 do të takohen me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në orën 15:00 me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Dyshja e emisarëve të ShBA-së dhe BE-së do të takohet edhe me liderët e partive opozitare në orën 16:00.
E pas këtyre takimeve, të enjten dy emisarët pritet të vizitojnë edhe pjesën veriore të vendit.


