Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 26-vjetorin e spastrimit etnik të veriut të Mitrovicës, të kryer nga shteti i Serbisë në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.
Në një postim, Kurti ka rikujtuar se përmes policisë serbe dhe grupit paraushtarak kriminal “Rojet e urës”, mijëra shqiptarë u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre drejt jugut të lumit Ibër, nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes. Gjatë këtij aksioni, u vranë dhjetë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë, ndërsa viktimat ishin nga mosha 13 deri në 65 vjeç.
Ai theksoi se vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, Mitrovica mbeti zona e vetme që nuk u çlirua plotësisht, duke u bërë sërish objekt i spastrimit etnik. Sipas Kurtit, gjatë shkurtit të vitit 2000, 1,564 familje shqiptare me gjithsej 11,364 anëtarë u dëbuan nga Mitrovica, pavarësisht pranisë së forcave paqeruajtëse dhe administratës ndërkombëtare.
Kryeministri vlerësoi se drejtësia për këtë krim ende nuk është vënë plotësisht në vend, ndërsa rehabilitimi i viktimave kërkon kohë, përkujdesje shtetërore dhe solidaritet shoqëror. Ai theksoi se për dy dekada, mijëra të dëbuar jetuan pa mundur të kthehen në pronat e tyre, ndërsa kthimi ka filluar vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit dhe sundimit të ligjit në veri.
Sipas Kurtit, vetëm gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore, duke mundësuar kthimin e shumë familjeve, përfshirë rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen në shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.
Ai theksoi se sot Mitrovica është qytet ku jetojnë lirshëm të gjithë qytetarët, pa dallime etnike, falë angazhimit të institucioneve për drejtësi, barazi dhe sundim të ligjit.
“Nuk harrojmë asgjë dhe askënd, asnjëherë”, theksoi Kurti, duke shtuar se veprimet e Qeverisë në veri duhet të kuptohen në kontekstin e ngjarjeve të shkurtit 2000 dhe sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
Në përfundim, Kurti nderoi të vrarët, mbështeti të plagosurit dhe të dëbuarit, duke ritheksuar angazhimin për drejtësi, paqe dhe të ardhmen e Kosovës.


