Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë ndaluar paraditen e së martës nën dyshimet për përfshirje në marrje ryshfeti.
Lidhur me rastin ka reaguar kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka theksuar gatishmërinë e institucionit për bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë.
Ai ka deklaruar se Kryeqyteti mbetet i përkushtuar ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës do të jetë e hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, duke respektuar plotësisht autoritetin e institucioneve përgjegjëse dhe standardet demokratike.
Nga burime brenda hetimit bëhet e ditur se personat e arrestuar janë Dukagjin Gashi, Bashkim Sadiku dhe Afrim Gashi.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime Ekonomike, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me autorizim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka zhvilluar një aksion me masa të veçanta hetimore.
Zyrtarët dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, sipas neneve përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.


