Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave policore serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, duke e cilësuar rezistencën e kësaj familjeje si simbol të qëndresës dhe të luftës për çlirimin e Kosovës.
Në një postim përkujtimor, Kurti rikujtoi ngjarjet e 22 janarit 1998, kur në orët e hershme të mëngjesit, për rreth gjysmë ore, policia serbe sulmoi me armë automatike dhe predha shtëpitë e Shaban Jasharit në Prekaz. Ai theksoi se Shaban Jashari dhe djali i tij Hamza rezistuan nga brenda shtëpive për të mbrojtur familjen dhe pronën nga, siç e quajti, “sulmi kriminal”.
Si pasojë e të shtënave, në atë ditë mbetën të plagosura edhe dy vajza të familjes Jashari, Selvete dhe Iliriana. Kurti nënvizoi se pamjet filmike dhe fotografitë e realizuara nga mediat pas sulmit, vazhdojnë të jenë dëshmi e fuqishme e asaj që ndodhi në Prekaz më 22 janar 1998.
Ai kujtoi gjithashtu se ky ishte sulmi i dytë ndaj familjes Jashari, pas aksionit të parë policor të 30 dhjetorit 1991, datë e cila më vonë u shënua si Dita e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Kurtit, si në vitin 1991 ashtu edhe në vitin 1998, familja Jashari rezistoi e armatosur, duke u shndërruar në shembull të qëndresës ndaj regjimit shtypës të Serbisë.
“Një muaj e gjysmë më pas, regjimi i Millosheviqit do të ndërmerrte një aksion shumë më të egër ndaj familjes Jashari dhe fshatit Prekaz, ku rezistenca e kësaj familjeje dhe e këtij fshati do të arrinte kulmin, duke frymëzuar mijëra njerëz t’i bashkoheshin UÇK-së”, shkroi Kurti.
Në fund, kryeministri theksoi se historia e çlirimit të Kosovës është shënuar nga njerëz kurajozë dhe familje si ajo e Shaban Jasharit, të cilët, sipas tij, u flijuan me vetëdije dhe vendosmëri për lirinë e vendit, duke shprehur respekt dhe nderime të thella për familjen Jashari nga Prekazi i Poshtëm i Drenicës.


