Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar sot Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, duke i cilësuar si tre patriotë që nuk u përkulën kurrë dhe si flakadanë të përjetshëm të lirisë.
Në një postim të saj, Osmani tha se atentati ndaj tyre synonte t’i heshtte, por në fakt i bëri të pavdekshëm, pasi ata ishin zëri i Kosovës së robëruar dhe kushtrimi i një populli që nuk pranonte nënshtrimin.
“Sot i nderojmë sepse gjaku i Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut është në themelet e lirisë dhe Republikës së Kosovës”, ka theksuar Osmani.
Ajo i quajti ata heronj të fjalës, të idealit dhe të kombit, duke shtuar se vepra dhe sakrifica e tyre do të mbeten përgjithmonë udhërrëfyes për brezat që vijnë.
“Lavdi e përjetshme heronjve të fjalës, të idealit dhe të kombit!”, përfundoi Osmani.


