Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për rinumërim.
Sipas njoftimit zyrtar të KQZ-së, rinumërimi ka nisur një ditë më herët, të martën në orën 18:00. Deri më tani, konkretisht deri të mërkurën, më 14 janar 2026, në orën 10:00, janë rinumëruar 23 vendvotime nga gjithsej 914 vendvotime që janë përfshirë në vendimin për rinumërim.
KQZ ka bërë të ditur se rezultatet e rinumërimit do të publikohen në mënyrë graduale në platformën zyrtare për rezultate zgjedhore. Qytetarët dhe palët e interesuara mund t’i ndjekin të dhënat në platformën online të KQZ-së, në seksionin QNR > Rinumërim, ku rezultatet do të paraqiten pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet nën mbikëqyrjen e organeve përgjegjëse, ndërsa KQZ ka theksuar se do të informojë publikun rregullisht për ecurinë dhe përfundimin e tij.


