Një rast kanosjeje është raportuar në fshatin Balincë të komunës së Malishevës. Sipas njoftimit të Policisë, një qytetar ka raportuar se derisa ishte duke udhëtuar me veturën e tij, një automjet me targa të Austrisë i ka bllokuar rrugën në mënyrë të vazhdueshme.
Më pas, nga automjeti i dyshuar kanë dalë katër persona, të cilët e kanë kanosur qytetarin dhe kanë tentuar ta sulmojnë. Sipas policisë, i kanosuri ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes pa pësuar lëndime.
Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar dy të dyshuar, të cilët pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit kompetent, janë liruar dhe rasti do të procedohet në rrugë të rregullt.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.


