Ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se përveç urave të ndërtuara mbi lumenjtë Ibër, Bistricë, Drinin e Bardhë, Lumbardh si dhe mbi Liqenin e Badovcit, janë realizuar edhe shumë projekte të tjera infrastrukturore në mbarë vendin.
Përmes një postimi në Facebook, ministri ka veçuar edhe urën e Hajnocit mbi lumin e Shtrembër në Kamenicë, duke e cilësuar atë si një investim të rëndësishëm që ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e lidhjes rrugore dhe zhvillimin ekonomik të zonës.
Sipas tij, këto projekte synojnë lehtësimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë për qytetarët dhe krijimin e kushteve më të mira për zhvillim lokal. Ministri theksoi se investimet në infrastrukturë mbeten prioritet, pasi ato kontribuojnë në përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.


