Spitali i Përgjithshëm në Prizren po hyn në një fazë të rëndësishme transformimi falë investimeve të Qeverisë së Kosovës, në veçanti të Ministrisë së Shëndetësisë, në vlerë mbi 11 milionë euro.
Procesi i modernizimit po zhvillohet në terren nën koordinimin e menaxhmentit të ri të spitalit, të udhëhequr nga drejtori Osman Hajdari, me synim përmirësimin e infrastrukturës, pajisjen me teknologji bashkëkohore dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore për pacientët.
Lidhur me këto investime, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se bëhet fjalë për një transformim të gjerë të spitaleve publike në vend.
“Mbi 11 milionë euro investime për transformimin e Spitalit të Prizrenit: pajisje moderne, shërbime të reja dhe cilësore dhe mjedise të mira të punës për stafin shëndetësor dhe të trajtimit për pacientë. Nga komuna në komunë, spital pas spitali”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka theksuar se investimet po prekin pothuajse të gjitha repartet kryesore të spitalit, duke e orientuar institucionin drejt një transformimi të plotë funksional dhe teknologjik.
Sipas tij, janë realizuar dhe po realizohen investime në:
- Kardiologji invazive me angiografin e ri,
- Rezonancë magnetike (MRI),
- Pulmologji dhe shërbim të ri për Sleep Apnea,
- Pediatri, Interno dhe Kujdes Intensiv,
- Emergjencë, Radiologji dhe bllokun kirurgjik,
- Hemodializë, Transfuzion dhe Patologji,
- Pajisje moderne diagnostike dhe terapeutike,
- Ndriçim dhe infrastrukturë të jashtme të standardizuar.
Ministri Vitia ka bërë të ditur se investimet totale për Spitalin e Prizrenit tejkalojnë 11 milionë euro, duke falënderuar mërgatën, partnerët dhe profesionistët shëndetësorë për kontributin e tyre në këtë proces.
Ndërkohë, menaxhmenti i spitalit nën drejtimin e drejtorit Osman Hajdari ka nisur edhe punimet në rinovimin e rreth 1,500 m² të hapësirave më kritike, përfshirë njësitë intensive, bllokun operativ dhe sektorë të tjerë jetikë, me fokus në sigurinë dhe funksionalitetin e shërbimeve.
Lexo po ashtu:
Me intensitetin aktual të investimeve dhe punimeve, Spitali i Prizrenit pritet të shënojë përmirësime të dukshme në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të pozicionohet si një nga institucionet kryesore publike shëndetësore në vend.
Lexo po ashtu:


