Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar pas raportimeve për të shtëna me armë zjarri në Rrugën e Gjilanit, në Prishtinë.
Sipas Policisë, pas pranimit të informatës, njësitet policore kanë reaguar menjëherë. Zyrtarë nga Stacioni Jugu dhe Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale janë arrestuar katër persona të dyshuar dhe janë sekuestruar armët e përdorura në rast.
Policia bën të ditur se, pas veprimeve të mëtejme hetimore, është identifikuar dhe arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar, nga i cili po ashtu është sekuestruar një armë zjarri.
Të dyshuarit, pas intervistimit dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Ata dyshohen për veprat penale: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” si dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.


