Kryetari i Fushë Kosovës Valon Prebreza ka emruar Adriatik Zeqirin Drejtor të Arsimit në Komunën e Fushë Kosovës. Drejtori i sapoemëruar, ka bërë publik angazhimin e tij për një reformim të thellë të sistemit arsimor në komunë, duke theksuar se pas më shumë se dy dekadash sfidash dhe mungese të një udhëheqjeje të qartë, është koha që arsimi të kthehet në prioritet absolut.
Në një deklaratë dërguar qytetarëve, ai citoi fjalët e ish-presidentit uruguaian José Mujica, duke nënvizuar rëndësinë themelore të arsimit si pasqyrë e shoqërisë që ndërtohet çdo ditë.
“Arsim, arsim, arsim – dhe përsëri arsim. Çdo ndryshim i madh fillon te fëmijët, te mësuesit dhe te shkolla,” tha ai, duke shtuar se do t’i përkushtohet plotësisht kësaj detyre me zemër, energji dhe profesion.
Drejtori i ri theksoi se përpara Fushë Kosovës qëndron një punë e madhe për “vendosjen e rendit në kaos” dhe krijimin e kushteve më të mira për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit. Ai paralajmëroi investime në hapësirat shkollore, rritje të cilësisë së proceseve mësimore dhe një qasje që e nxjerr arsimin nga “ngushtësia burokratike”, duke e shndërruar në një proces që zhvillon mendim kritik, solidaritet dhe qytetari aktive.
“Fëmijët tanë duhet të ndihen të sigurt, të respektuar dhe të inkurajuar të ëndërrojnë. Mësimdhënësit duhet të kenë kushte dinjitoze. Prindërit duhet të ndihen të mbështetur, e jo të mbingarkuar,” theksoi ai, duke ftuar bashkëpunim të plotë me qytetarët.
Në fund të deklaratës, ai shprehu mirënjohjen e tij për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe për Kryetarin e Komunës, Valon Prebreza, për besimin e dhënë në marrjen e kësaj detyre.
“Puna jonë sapo ka filluar. Fëmijët tanë meritojnë më të mirën, dhe së bashku do ta ndërtojmë,” përfundoi ai.
Ky emërim vjen në një moment kur komuniteti i Fushë Kosovës pret reforma të dukshme në sistemin arsimor, i cili prej vitesh është përballur me sfida infrastrukturore, organizative dhe cilësore. Autoritetet komunale paralajmërojnë se arsimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së tyre në mandatin aktual.


