Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se Qeveria ka miratuar rritjen e pagës minimale, e cila do të hyjë në fuqi me dy faza gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas tij, nga muaji i ardhshëm paga minimale do të jetë 425 euro bruto, nga 350 euro sa është aktualisht. Ndërsa faza e dytë e zbatimit fillon më 1 korrik, ku paga minimale do të bëhet 500 euro, ashtu siç është paraparë me vendimin e Qeverisë.
“Kjo rritje do të përfitohet nga rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka rikujtuar se kur Qeveria aktuale ka marrë mandatin, paga minimale ishte 130/170 euro, e pandryshuar për më shumë se një dekadë. “Brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, ka theksuar ai.


