Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zbardhur detaje nga vizita e parë zyrtare e Presidentit të Hungarisë, Tamás Sulyok, i cili qëndroi sot në Kosovë së bashku me Zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy. Ata u pritën në Presidencë nga Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu.
Në njoftimin e saj, Osmani theksoi se qëllim i kësaj vizite është forcimi i partneritetit mes dy vendeve, ndërsa në takimin bilateral ka vënë theks të veçantë te mbështetja e Hungarisë për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Sipas saj, kjo mbështetje është “thelbësore” për proceset euroatlantike të vendit.
“Integrimi euro-atlantik i Kosovës është në dobi të qytetarëve tanë, të rajonit dhe të gjithë kontinentit evropian”, ka deklaruar Presidentja Osmani, duke nënvizuar se pret intensifikim të bashkëpunimit me Budapestin në të gjitha fushat.


