Në një ceremoni të veçantë që u zhvillua sot, në Uashington presidenti amerikan Donald Trump u nderua me çmimin për Paqe nga FIFA.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ka ndërtuar një marrëdhënie të fortë me presidentin amerikan, e ka mbështetur Trumpin për Çmimin Nobel më herët këtë vit.
Kurse presidenti amerikan tha se ndjehet i nderuar me këtë çmim.
Trump: Ne i përfunduam luftërat edhe para se të fillonin
Donald Trump po flet në skenë në Uashington pas nderimit me Çmimin e Paqes nga FIFA. “Kjo është vërtet një nga nderimet më të mëdha të jetës sime. Kaq shumë luftëra të ndryshme që ne arritëm t’i ndalonim, në disa raste pak para se të fillonin, pikërisht para se të fillonin,” tha Trump.
Duke folur për Kupën e Botës që do të zhvillohet verën e ardhshme, presidenti amerikan shtoi: “Do të keni një ngjarje të tillë që ndoshta bota nuk e ka parë kurrë më parë.”
Ndryshe Në Uashington të SHBA-së po mbahet ceremonia e tërheqjes së shortit për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026”, short i cili po transmetohet drejtpërdrejt në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).


