Sot, në një ceremoni solemne, Qemajl Aliu ka dhënë betimin për mandatin e tij të dytë si Kryetar i Komunës së Shtimes, duke u zotuar për vazhdimin e punës në shërbim të qytetarëve, zhvillimit të komunës dhe forcimit të transparencës në qeverisje.
Me këtë rast, kryetari Aliu përmes një postimi publik ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë dhe ka theksuar vizionin e tij për transformimin e mëtejmë të komunës.
Postimi i plotë i kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu:
“Të dashur bashkëqytetarë të Komunës së Shtimes,
Sot, para jush dhe para flamujve që na bashkojnë me historinë e lavdishme e të ardhmen e ndritshme, dhashë betimin e shenjtë që më buron nga ndërgjegjja e thellë dhe përgjegjësia jonë historike.
Besimi që më dhatë për këtë mandat të dytë është amanet që do ta mbaj e ruaj me nderin më të madh. Vizioni ynë për transformim të Shtimes është aspirata jonë që do të vazhdojmë ta realizojmë me patjetër.
Busulla e çdo veprimi nga ana jonë do të jetë kujtesa e sakrificës së dëshmorëve, martirëve dhe veprimtarëve të kauzës kombëtare.
Unë zotohem që çdo vendim do të bëhet me fokus për të ardhmen e brezave që do të vijnë, për ta përmirësuar perspektivën dhe për t’i zgjeruar mundësitë për rininë tonë.
Ne jemi Komunë e vogël, por me njerëz të mëdhenj e zemërbardhë, punëtorë dhe fisnikë, që i kanë dalur zot luftës dhe tani edhe paqes.
Unë do të jem Kryetar i të gjithëve, duke e vazhduar qeverisjen me transparencë dhe duke e vënë interesin publik mbi gjithçka tjetër.
Me besimin tuaj të palëkundur, ne do t’i përmbushim të gjitha zotimet tona për Shtimen e zhvilluar dhe rrënjësisht të transformuar.
Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë!
Ju faleminderit përjetësisht! 🫶”


