Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit ka nisur një fazë të re punimesh në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës spitalore, këtë herë me renovimin e plotë të Njësisë së Patologjisë dhe Morgut në një hapësirë prej rreth 400 metrash katrorë.

Sipas drejtorit të ri të spitalit, Osman Hajdari, punimet përfshijnë rikonstruksion të ambienteve të brendshme, ndërrimin e dyshemeve dhe dyerve, përmirësimin e ndriçimit, ventilimit dhe nyjeve sanitare. Po ashtu, hapësirat e morgut po riorganizohen sipas standardeve moderne për të garantuar kushte më të mira pune dhe shërbime më cilësore për qytetarët.

Hajdari theksoi se investimet e tilla janë pjesë e vizionit për një shëndetësi më funksionale dhe më dinjitoze në Prizren, duke falënderuar stafin dhe pacientët për mirëkuptimin gjatë kohës së punimeve.

“Punët e nisura po vazhdojnë me ritëm të mirë dhe synimi ynë është i qartë: të ngrisim standardet e shërbimit dhe të krijojmë kushte moderne për të gjithë”, u shpreh ai.

Punimet pritet të përfundojnë brenda afateve të parapara, duke i hapur rrugën një faze të re të funksionalitetit në njësitë kyçe të spitalit.



