Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar sot një mesazh me rastin e 117-vjetorit të Kongresit të Alfabetit, duke e lidhur këtë përvjetor me rolin historik të gjuhës dhe shkrimit të njësuar në formësimin e identitetit dhe unitetit kombëtar.
Kurti kujtoi se përpjekjet për njësimin e shkrimit të gjuhës shqipe — nga Kongresi i Manastirit më 1908 deri te Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972 — nuk ishin vetëm çështje praktike, por mbi të gjitha synim për të bashkuar shqiptarët pavarësisht ndarjeve politike, krahinore e ideologjike.
Ai theksoi se gjuha është elementi natyror që bashkon kombin, ndërsa shkrimi i njësuar e forcon bashkimin politik dhe kulturor.
“Lëvrimi i njëkohshëm i gjuhës së shkruar është kushti për të kapërcyer efektet e ndarjeve të tjera. Kombi nuk është në të kaluarën; është në të tashmen dhe në të ardhmen. Përveçse masë njerëzore, është frymë që e shndërron atë në bashkësi”, shkroi Kurti.
Sipas tij, 22 Nëntori kujtohet çdo vit si Dita e Alfabetit pikërisht për këtë arsye, ndërsa Manastiri, krahas Prizrenit dhe Vlorës, qëndron si një prej tri pikave kryesore historike të formësimit kombëtar. Për të, përkujtimi i Kongresit të Manastirit dhe Kuvendit të Vlorës brenda të njëjtës javë i lidh gjuhën, kulturën, idenë e lirisë dhe vetëvendosjes në një narrativë të përbashkët zhvillimi kombëtar.
“Na përcillet kujtesa, amaneti dhe vullneti për të përjetësuar njësimin dhe zhvillimin e shqiptarëve”, deklaroi Kurti, duke uruar 117-vjetorin e Kongresit të Alfabetit.
Fjalimi i tij i plotë mund të lexohet në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës.


