Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sot një takim të gjerë organizativ në Podujevë, ku Kryeministri dhe njëherit Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, së bashku me Sekretarin Organizativ Alim Rama dhe Koordinatorin e Qendrave, Salih Zyba, u takuan me drejtuesit e qendrave të Lëvizjes nga e gjithë Kosova.
Në njoftimin e LVV-së theksohet se këto zgjedhje lokale kanë sjellë rezultatin më të lartë të Lëvizjes që nga futja në garat komunale, me 7 komuna të fituara dhe 177 asambleistë në nivel vendi.
Gjatë mbledhjes u diskutua ecuria e procesit zgjedhor dhe u analizuan në detaje rezultatet nëpër komuna, si dhe sfidat e adresuara gjatë fushatës.
Sipas LVV-së, strukturat organizative dhe aktivistët në të gjitha lagjet dhe fshatrat e Kosovës “vazhdojnë të jenë të mobilizuar dhe të gatshëm për çdo betejë, lokale e qendrore, për të mirën e vendit dhe të qytetarëve”.
Lëvizja e cilëson veten si “alternativën e vetme serioze dhe zërin e vërtetë qytetar” në institucionet lokale dhe qendrore, ndërsa thekson se fitoret “e pastra dhe vetëm me aleancë me qytetarin”, pavarësisht sinkronizimit të opozitës, dëshmojnë se “e ardhmja është epokë fitoreje për LVV-në”.
Në fund, LVV shpreh falënderim për aktivistët në çdo lagje dhe fshat për angazhimin e tyre, duke theksuar se ecja e përbashkët “vazhdon edhe më fuqishëm përpara”.


