Qeveria e Ukrainës pezulloi ministrin e Drejtësisë, Herman Halushchenko në mes të një hetimi për korrupsion prej 100 milionë dollarësh në sektorin e energjisë së vendit.
“Këtë mëngjes, mbajtëm mbledhje të jashtëzakonshme qeveritare. Morëm vendim për të pezulluar Herman Halushchenkon nga kryerja e detyrave të ministrit të Drejtësisë”, shkroi kryeministrja Yulia Svyrydenko në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Svyrydenko shtoi se zëvendësministrja e Drejtësisë për Integrimin Evropian, Liudmyla Sugak, do ta marrë përsipër detyrën e ministres së Drejtësisë. Duke komentuar vendimin, Halushchenko, i cili shërbeu si ministër i Energjisë përpara se të merrte postin e tij aktual në korrik, u pajtua me vendimin, duke thënë se do ta mbrojë veten ligjërisht dhe do ta provojë qëndrimin e tij.
“Duhet të merret një vendim politik dhe vetëm atëherë të merren të gjitha detajet. Unë nuk e mbaj pozicionin e ministrit dhe nuk do ta mbaj. Besoj se pezullimi (i detyrave të mia) për kohëzgjatjen e hetimit është skenar i civilizuar dhe korrekt”, tha ai në Facebook.
Ukraina nisi një “operacion në shkallë të gjerë” në sektorin e energjisë të hënën për të zbuluar korrupsionin që përfshinte atë që Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit (NABU) e përshkroi si një “organizatë kriminale të nivelit të lartë” që kërkon të ndikojë në ndërmarrjet strategjike shtetërore, veçanërisht ofruesin kombëtar të energjisë bërthamore “Energoatom”.
NABU tha se hetimi i saj përfshinte 15 muaj punë dhe 1.000 orë regjistrime audio dhe se anëtarët e “organizatës kriminale” dyshohet se kërkuan përfitime të paligjshme në masën 10 për qind deri në 15 për qind të vlerës së kontratës shtetërore. Agjencia tha të martën se detektivët e saj arrestuan pesë persona dhe u dërguan shënime dyshimi për shtatë individëve, ndërsa hetimi zbuloi se 100 milionë dollarë kishin kaluar përmes skemës.


