Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania CETIS lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 9 nëntor 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.
Sipas komunikatës së KQZ-së, pas publikimit të fotografive që tregonin gabimin, kompania ka zhvilluar një hetim të plotë mbi procesin e prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave. Hetimi ka konstatuar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit, e cila shtyp numrin e vendvotimit. Për shkak se sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.
Në sqarimin e saj, CETIS ka marrë përgjegjësinë e plotë për këtë gabim teknik, duke theksuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin apo kopjimin e tyre. Kompania ka shprehur keqardhje për incidentin dhe ka konfirmuar se do të qëndrojë në bashkëpunim të plotë me KQZ-në për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve.
KQZ ka bërë të ditur se për këtë rast është njoftuar Prokuroria e Shtetit.
Në njoftim thuhet gjithashtu se janë bashkëngjitur përgjigjet zyrtare të kompanisë, në gjuhën angleze dhe shqipe.


