Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka votuar sot në Prishtinë, në ndërtesën e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale që po mbahen në 18 komuna të vendit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kurti ka thënë se kjo është një ditë e mirë për demokracinë dhe për vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës.
“Është ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë. Republika e Kosovës mban zgjedhjet në raundin e dytë, pra për balotazh, në 18 komuna të shtetit tonë. Unë porsa votova këtu në Prishtinë, në ndërtesën e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’,” ka shkruar ai.
Kurti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor, duke theksuar se pjesëmarrja është e rëndësishme për të ardhmen e komunave gjatë katër viteve të ardhshme.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave, dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata si banorë të komunave të Republikës,” ka shtuar ai.
Kryeministri në detyrë ka theksuar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të gjitha përgatitjet dhe se procesi pritet të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të rregullt.
“Gjithçka do të shkojë mbarë e mirë: Komisioni Qendror Zgjedhor i ka bërë përgatitjet, por edhe që të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit tashmë ndodhen në qendrat e votimit,” ka përfunduar Kurti.
Ndryshe, sot qytetarët e 18 komunave votojnë për kryetarët e rinj në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë./KosovaNews/


