Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve në prag të balotazhit të 9 nëntorit, përcjell KosovaNews.
“Fillon numërimi prapa për balotazhin e 9 nëntorit!
Me Lëvizjen VETËVENDOSJE, për Prishtinën tonë! 💙”, ka shkruar Çeku në një postim në rrjete sociale.
Postimi i tij vjen pas tubimit të hapjes së fushatës për balotazh të Lëvizjes Vetëvendosje, që u mbajt në Prishtinë, ku morën pjesë edhe kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, bashkë me përfaqësues e mbështetës të shumtë të kësaj lëvizjeje.
Në fjalën e tij gjatë tubimit, Çeku tha se Prishtina ka bërë hapa të mëdhenj në drejtim të urbanizimit të drejtë, mbrojtjes së mjedisit dhe investimeve publike me vlerë.
“Tani është koha t’i çojmë përpara këto projekte me përkushtim, ndershmëri dhe transparencë,” tha Çeku, duke theksuar se qeverisja e Vetëvendosjes në kryeqytet ka sjellë ndryshime të prekshme dhe duhet të vazhdojë me të njëjtin vizion zhvillimor.
Ai shtoi se Prishtina meriton një zhvillim të qëndrueshëm dhe një administratë që punon në shërbim të qytetarëve, duke e cilësuar balotazhin e 9 nëntorit si “moment vendimtar për drejtimin e kryeqytetit”./KosovaNews/


