Trainkos rrit pagat për punonjësit pas 15 vitesh – masa ka karakter social
Ndërmarrja HK-Trainkos Sh.A. ka miratuar rritjen e pagës bazë për të gjithë punonjësit e saj, në shumën fikse prej 30 euro, si dhe pagesën e shujtës ditore prej 2.5 euro për secilën ditë pune të realizuar, që në total arrin në 85 euro në muaj për orar të plotë pune.
Vendimi është marrë nga Bordi i Drejtorëve të Trainkos në mbledhjen e mbajtur më 30 shtator 2025, me Vendimin Nr. I/120, dhe ka hyrë në fuqi më 1 tetor 2025. Kryeshefi ekzekutiv, Agron Statovci, ka njoftuar se kjo rritje tashmë është reflektuar në llogaritë bankare të punonjësve.
Sipas Statovcit, masa e re ka karakter social, pasi në ndërmarrje nuk ka pasur ngritje pagash për afro 15 vjet. Ai theksoi se pavarësisht gjendjes së rënduar financiare të trashëguar, menaxhmenti ka arritur të ulë shpenzimet e brendshme dhe të stabilizojë operimin e ndërmarrjes.
“Që nga prilli i vitit 2023 kemi arritur të zvogëlojmë shpenzimet për 23.86 për qind, apo rreth 433 mijë euro, me të njëjtin staf dhe volum pune. Kjo u bë e mundur përmes ristrukturimit dhe eliminimit të pozitave të panevojshme, si dhe ndalimit të privilegjeve të caktuara që nuk justifikoheshin,” thuhet në njoftim.
Statovci shtoi se rritja është në përputhje me politikat e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e mirëqenies së punëtorëve, si dhe me përpjekjet për kursim dhe transparencë brenda ndërmarrjes.
Ai kërkoi nga stafi që të vazhdojë me kujdesin për uljen e shpenzimeve operative dhe rritjen e efikasitetit, duke theksuar se Trainkos aktualisht ndikohet edhe nga projekti për rehabilitimin e linjës 10, që ka kufizuar aktivitetin e saj të plotë.
“Shpresojmë që ky projekt të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që bashkërisht ta zhvillojmë ndërmarrjen dhe ta rrisim mirëqenien për të gjithë punonjësit e Trainkos Sh.A.,” ka përfunduar Statovci./KosovaNews/


