Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përmbyllur me sukses validimin e Regjimentit të Tretë të Këmbësorisë, përmes ushtrimit fushor të koduar “Ujku i Shigjetë”, që u zhvillua sot në kuadër të Ditës së Vizitorëve të Shquar.
Në këtë aktivitet morën pjesë Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, si dhe përfaqësues të ambasadave të akredituara në Kosovë, përfaqësues të KFOR-it, atashe të mbrojtjes dhe delegacione ushtarake nga vendet partnere.
Gjatë fjalës së tij, Gjeneral Jashari njoftoi të pranishmit për të arriturat e FSK-së dhe për procesin e gjatë të validimit që ka kaluar Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë, si pjesë e Komandës së Forcave Tokësore.
Ai theksoi se validimi i njësive është një proces i ndërlikuar që përfshin planifikimin, trajnimin, stërvitjen dhe mbështetjen logjistike, me qëllim përgatitjen e plotë të personelit për kryerjen e detyrave në kuadër të misionit të tyre.
Në kuadër të ushtrimit “Ujku i Shigjetë”, njësitë e dislokuara në terren demonstruan operacione mbrojtëse, sulmuese dhe operacione të stabilitetit, duke dëshmuar nivel të lartë të përgatitjes taktike dhe koordinimit.
Ky ushtrim dhe procesi i validimit janë pjesë e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, përmes të cilit po ngriten kapacitetet operacionale të njësive në përputhje me misionin e tyre.


