Gara për kryetar të Fushë-Kosovës po hyn në fazën vendimtare, teksa partitë politike po zhvillojnë bisedime për bashkëpunime të mundshme para balotazhit të 9 nëntorit.
Pas arritjes së marrëveshjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me Nismën Socialdemokrate, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Valon Prebreza, po synon që të ketë takim edhe me përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Prebreza ka thënë se ka ftuar të gjithë kandidatët për diskutime rreth mundësive të bashkëpunimit, duke theksuar se vota opozitare në Fushë-Kosovë ka qenë dominuese në raundin e parë të zgjedhjeve. Ai ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të zhvillojë një takim zyrtar me kandidatin e PDK-së, Rrahim Tërnava.
Nga ana tjetër, Tërnava ka konfirmuar se është në pritje të vendimit të qendrës së partisë për takime me kandidatët rivalë, përfshirë Valon Prebrezën e VV-së dhe Besnik Osmanin e LDK-së.
Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valon Prebreza ka marrë 45.18% të votave (9,669 vota), Besnik Osmani i LDK-së 36.63% (7,840 vota), ndërsa Rrahim Tërnava i PDK-së 16.16% (3,459 vota)./indeksonline/


