PRISHTINË – Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është përfshirë në Sallën e Famës (“Hall of Fame”) të Kolegjit të Luftës të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (US Army War College), një ndër vlerësimet më të larta që kjo akademi ushtarake u jep ish-studentëve të saj nga e gjithë bota.
Në ceremoninë e zhvilluar në SHBA ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjenerali Randy A. George.
Maqedonci e ka cilësuar këtë nderim si një “nder jetësor” dhe jo thjesht një arritje personale, por një pasqyrim të përkushtimit dhe profesionalizmit të të gjithë bashkëpunëtorëve me të cilët ka shërbyer gjatë karrierës së tij.

“Ky vlerësim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ata që kanë kontribuar në rrugëtimin tim profesional. Mirënjohje për Kolegjin e Luftës të Ushtrisë së SHBA-së, për mundësinë që më ofroi të formohem profesionalisht dhe personalisht, si dhe për nderimin e sotëm,” ka shkruar Maqedonci.
Ai ka falënderuar kolegët, mentorët dhe familjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se ky çmim e forcon edhe më tej bindjen në fuqinë e shërbimit, udhëheqjes dhe mësimit të përjetshëm — vlera që, siç tha ai, “kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë të gjithë ata që i shërbejnë vendit dhe komunitetit të tyre.”



