Bayern Munich ka nisur kërkimin për zëvendësuesin e Manuel Neuer, pasi portieri legjendar gjerman po i afrohet fundit të karrierës së tij.
Drejtuesit bavarezë po shikojnë me kujdes tregun për të gjetur një pasardhës të denjë mes shtyllave.
Sipas mediave gjermane, emri që kryeson listën e dëshirave të Bayern është ai i Mike Maignan, portieri francez i Milan. Njëzet e tetë vjeçari ka qenë një nga më të spikaturit në Serie A gjatë sezoneve të fundit dhe shihet si kandidati ideal për të marrë drejtimin e portës në “Allianz Arena”.
Kontrata e Maignan me Milan skadon në vitin 2026, por negociatat për rinovim kanë mbetur pezull, gjë që ka rritur interesimin e Bayern. Klubi gjerman mund të tentojë një lëvizje që në merkaton e janarit, me synimin për ta bindur “Magic Mike” të pranojë një transferim të lirë në fund të sezonit.


