Më 22 mars, qeveria shqiptare paralajmëroi me bujë “lajmin e mirë” për qytetarët dhe pensionistët: dyfishimin e pensionit minimal dhe rritjen e pagës mesatare në 1000 euro, si pjesë e programit “Shqipëria 2030”, transmeton KosovaNews
Por me 1 tetor, realiteti është krejt tjetër. Në vend të “dyfishimit”, pensionistët do të marrin vetëm 475 lekë (5 euro) më shumë në muaj në qytet dhe 225 lekë (3 euro) në fshat, pas indeksimit të pensioneve me 2.5 për qind.

Sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar urban do të kalojë nga 19,039 lekë në 19,514 lekë, ndërsa ai rural nga 8,966 lekë në 9,191 lekë. Edhe përfituesit e pensioneve të invaliditetit dhe atyre familjare përfitojnë të njëjtat shtesa modeste – shumë që mezi ndihen në një treg ku çmimet s’kanë ndalur së rrituri.
Ndërkohë që qeveria në Shqipëri e justifikon këtë indeksim me ecurinë e inflacionit, të dhënat e INSTAT tregojnë se çmimet e ushqimeve dhe pijeve janë rritur mesatarisht me 2.76 për qind nga tetori 2024 deri në gusht 2025 – pra më shumë se vetë rritja e pensioneve./KosovaNews/


