Burimi: Wall Street Journal
Përkthimi: Alban Begolli/KosovaNews
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dhënë grupit palestinez Hamas një ultimatum 72-orësh për të pranuar një plan paqeje me 20 pika për Gazën – përndryshe, ka paralajmëruar “shkatërrim të plotë”., raporton Wall Street Journal, transmeton KosovaNews.
Sipas planit, nëse Hamasi nuk pranon kushtet, SHBA do ta mbështesë Izraelin në ofensivën e tij kundër këtij grupi, të cilin Washingtoni e konsideron organizatë terroriste. Izraeli ka pranuar tashmë propozimin e Trumpit.
Në rast se plani miratohet, presidenti amerikan do të kryesojë një “Bord të Paqes” që do të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës. Dokumenti përfshin lirimin e të gjithë pengjeve, dërgimin e ndihmave humanitare në enklavë dhe krijimin e një force stabilizimi të udhëhequr nga vendet arabe.
Forcat izraelite, me kalimin e kohës, do të tërhiqen gradualisht nga fushëbeteja duke ruajtur një zonë sigurie, ndërsa Hamasi do të detyrohet të dorëzojë armët dhe të heqë dorë nga roli i tij drejtues. Plani lë gjithashtu të hapur mundësinë e krijimit të një shteti sovran palestinez./KosovaNews/
Lexo po ashtu:


