Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka prezantuar një plan të ri për paqe në Gazë, i cili tashmë është pranuar nga Izraeli. Fati i marrëveshjes, megjithatë, mbetet në duart e Hamasit, transmeton KosovaNews.
Sipas planit 20-pikësh të publikuar nga Shtëpia e Bardhë, nëse të dyja palët pranojnë kushtet, luftimet do të ndalen menjëherë dhe ushtria izraelite do të fillojë tërheqjen graduale nga Gaza për t’u përgatitur për lirimin e pengjeve.
Në dokument thuhet se pas pranimit publik të marrëveshjes nga Izraeli, brenda 72 orëve do të kthehen të gjithë pengjet – të gjallë dhe të vdekur – ndërsa Izraeli do të lirojë 250 të burgosur me dënim të përjetshëm dhe 1700 qytetarë nga Gaza, përfshirë gra e fëmijë të ndaluar pas 7 tetorit 2023.
Për çdo peng izraelit që do të kthehet, Izraeli do të dorëzojë trupat e 15 palestinezëve. Ata anëtarë të Hamasit që heqin dorë nga armët dhe pranojnë bashkëjetesën paqësore, do të përfitojnë falje. Ndërkohë, për pjesëtarët e Hamasit që duan të largohen nga Gaza, do të sigurohet kalim i sigurt drejt vendeve që janë të gatshme t’i pranojnë.
Pasi marrëveshja të hyjë në fuqi, ndihmat humanitare do të dërgohen menjëherë në Rripin e Gazës. Sipas planit, furnizimi me ujë, energji elektrike dhe rikonstruksioni i spitaleve, rrugëve e furrave do të mbulohet përmes Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq, pa ndërhyrjen e asnjërës palë.
Në një fazë të mëvonshme, Gaza do të vihet nën administrim të përkohshëm nga një “Komitet Filistin teknokrat” – një strukturë apolitike e përbërë nga profesionistë vendas dhe ekspertë ndërkombëtarë, e mbikëqyrur nga një “Këshill i Paqes” i drejtuar nga vetë Presidenti Trump dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair. Ky organ do të menaxhojë rindërtimin dhe financimin e Gazës deri në rikthimin e kontrollit nga Autoriteti Palestinez.
Në plan përfshihet krijimi i një “Force Ndërkombëtare të Stabilitetit (ISF)”, e cila do të dërgohet menjëherë në Gaza për të ndihmuar forcat lokale të policisë dhe për të garantuar sigurinë në bashkëpunim me Jordaninë dhe Egjiptin. Trump theksoi se Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë Gazën, por do të largohet plotësisht pasi ISF të marrë kontrollin.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump deklaroi:
“Ky plan do t’i japë fund menjëherë luftës. Arapët dhe myslimanët janë zotuar ta mbështesin. Nëse Hamas e pranon, të gjithë pengjet do të lirohen brenda 72 orëve. Nëse jo, atëherë Izraeli do të ketë mbështetjen tonë të plotë për të vepruar vetë.”
Trump shtoi se Gazës do t’i jepen mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe se askush nuk do të detyrohet ta lërë territorin.
“Nëse Hamas refuzon, Netanyahu do të ketë përkrahjen tonë të plotë. Por nëse palestinezët duan një të ardhme, duhet ta pranojnë këtë moment,” tha ai.
Plani parashikon që, me zbatimin e tij, palestinezët të kenë më në fund një rrugë reale drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë.


