Në New York, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kongresmenin amerikan nga radhët e Partisë Republikane, Mike Lawler, njëherësh anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Gjatë takimit, kongresmeni Lawler e njoftoi Kryeministrin Kurti për vendimin e tij që t’i bashkohet Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u diskutua për mënyrat se si të thellohet partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me theks të veçantë tek bashkëpunimi ekonomik, investimet e huaja direkte dhe shkëmbimet tregtare, si dhe për rolin e rëndësishëm të diasporës në këtë drejtim.
Kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin për zhvillimet e fundit në vend dhe progresin e arritur gjatë viteve të fundit në ekonomi, demokraci, siguri dhe sundimin e ligjit.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për rreziqet dhe sfidat që sjell ndikimi rus në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.


