Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka paralajmëruar se nesër, më 29 shtator, do të mbajë një konferencë për media në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar, konferenca do të mbahet në ora 12:00, në hapësirat e Hotel “Tirana”. Nuk është bërë e ditur tema apo arsyeja e mbajtjes së saj.
Nënkryetari i OVL e UÇK-së, Gazmend Syla, ka konfirmuar se konferenca do të zhvillohet sipas planit, por nuk ka dhënë detaje shtesë.
“Më vjen keq, por nuk mund të tregoj arsyen. Si kryesi kemi vendosur që deri nesër në konferencë të mos japim më shumë informacione”, ka deklaruar ai.
Kjo konferencë vjen në kohën kur në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në të cilin mbrojtja është duke paraqitur dëshmitarët e saj. Deri tani, dëshmitë e tyre i kanë dhënë James Rubin, Paul Williams dhe John Stewart Duncan.
Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se në Kosovë mungon vullneti politik për miratimin e një rezolute të përbashkët të Kuvendit që do të dënonte Gjykatën Speciale. Ai theksoi se Shqipëria do t’i bashkohej menjëherë një iniciative të tillë.


