Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Nju Jork në kuadër të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në takimin e radhës të Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri të Komunitetit (GCERF), me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, përcjell KosovaNews.
Në këtë forum, ku Kosova është vend partner që nga viti 2017, Osmani ka riafirmuar përkushtimin e palëkundur të institucioneve të Kosovës për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.
“Sot riafirmova përkushtimin e Kosovës për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Nga ndërtimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, deri te përballja me radikalizimin online, Kosova është shndërruar në një model për rajonin – duke treguar se përmes bashkëpunimit, qëndrueshmërisë dhe vlerave të përbashkëta, edhe sfidat më të mëdha globale mund të tejkalohen,” ka deklaruar presidentja Osmani.
Takimi në New York mblodhi liderë shtetesh, ministra dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me fokus në forcimin e partneriteteve për parandalimin e radikalizimit dhe ruajtjen e sigurisë globale


