KosovaNews, gjatë ditës së sotme, raportoi ekskluzivisht për rrahjen para objektit të Komunës së Prishtinës, ku u përfshinë kandidati për kryetar të Komunës nga iniciativa qytetare “Lidhja për Prishtinën”, Fehmi Kupina, dhe asamblisti aktual si dhe kandidati i LDK-së për Asamblenë Komunale, Sami Salihu.
Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar ashpër kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku.
Në reagimin e tij, Çeku e konsideron ngjarjen shumë shqetësuese dhe dënon veprimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që sipas tij, kanë sulmuar udhëheqësin e Kuvendit, Fehmi Kupina.
“Përveç që është e papranueshme, kjo sjellje shkon kundrejt parimeve politike ku dallimet në pikëpamje janë vlerë e shtuar. Bëjmë thirrje për organet kompetente që të marrin masa dhe të ndëshkohen dhunuesit,” shkruan Çeku në postimin e tij.
REAGIMI I PLOTË:
Lajmi për dhunë në ambientet e Kuvendit Komunal të Prishtinës është shumë shqetësues.
Lidhja Demokratike e Kosovës sot sulmoi njeriun që udhëheqë me Kuvendin Komunal, z. Fehmi Kupina. Përveç që e papranueshme, kjo sjellje shkon kundrejt parimeve politike ku dallimet në pikëpamje janë vlerë e shtuar.
Bëjmë thirrje për organet kompetente që të marrin masa dhe të ndëshkohen dhunuesit.


