Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për asambliste komunale në Prizren, Mimoza Bushrani, ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë ajo, skemave korruptive që po ndodhin në qytet, duke e marrë si shembull rastin e stadiumit në fshatin Arbanas.
Bushrani ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për përfshirje në kontrata të fryra dhe shpronësime të dyshimta, duke theksuar se toka e kryetarit të nëndegës së PDK-së dhe njëherësh drejtorit të Bujqësisë në Prizren është shpronësuar me kompensime shumëfish më të larta, ndërkohë që janë zhdukur edhe varrezat e Vakëfit.
“Jo vetëm që u kompensua shumëfish, por ai edhe uzurpoi tokë publike për biznes privat. Ky është modeli i PDK-së: pasurim personal mbi kurriz të qytetarëve”, ka shkruar Bushrani.
Ajo ka kërkuar që ky rast të hetohet urgjentisht dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Përveç postimit me akuza, Bushrani ka shpërndarë edhe fotografi në lidhje me rastin, duke synuar të dokumentojë situatën dhe të tërheqë vëmendjen e opinionit publik.


