Mimoza Bushrani, kandidate për Asamblenë Komunale nga Lëvizja Vetëvendosje, ka ngritur akuza ndaj kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, përcjell KosovaNews.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka pretenduar se një rrugë e shtruar së fundmi në fshatin Lubizhdë nuk është bërë për interes publik, por për përfitime private, pasi sipas saj rruga ndodhet në pronën e nënkryetarit të PDK-së në këtë fshat.
Bushrani ka shpërndarë edhe fotografi nga terreni, duke theksuar se rruga është ndërtuar në parcelën kadastrale nr. 1636-1 ZK Lubizhdë, e cila, sipas të dhënave të saj, është pronë private e strukturave partiake të PDK-së.

“Taksat e qytetarëve janë përdorur për të ngritur vlerën e pronës private për strukturat e partisë së Totajt,” ka shkruar Bushrani.

Ajo e ka cilësuar këtë veprim si “abuzim të hapur me pushtetin dhe paranë e qytetarëve të Prizrenit”, duke ngritur pyetje publike për kryetarin Totaj:
“Pse buxheti i qytetarëve kthehet në favore për njerëz të partisë?”
“Me çfarë të drejte shtrohen rrugë në prona private?”

Sipas Bushranit, shumë fshatra dhe lagje në Prizren ende kanë mungesë të infrastrukturës elementare, ndërsa fondet publike po shfrytëzohen për interesa partiake.
“Qytetarët e Prizrenit meritojnë llogaridhënie, jo rrugë për parcela private të PDK-së,” ka përfunduar ajo./KosovaNews/
Reagimi i plotë:
Skandal i radhës nga Shaqir Totaj.
Në Lubizhdë të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shtruar rrugë jo për interesin e përbashkët, por për interesa private.
Sipas të dhënave zyrtare kadastrale, rruga e shtruar ndodhet në parcelën nr. 1636-1 ZK Lubizhdë, e cila është pronë private e nënkryetar të PDK-së për nën-degën e Lubizhdës. Pra, taksat e qytetarëve janë përdorur për të ngritur vlerën e pronës private për strukturat e partisë së Totajt.
Kjo nuk është qeverisje.
Kjo nuk është shërbim publik.
Ky është abuzim i hapur me pushtetin dhe me paranë e qytetarëve të Prizrenit.
Qytetarët kanë të drejtë të pyesin:
Me çfarë të drejte shtrihen rrugë në prona private?
Pse buxheti i qytetarëve kthehet në favore për njerëz të partisë?
Çfarë përfitimi personal ka Totaj nga ky veprim?
Prizreni nuk ka nevojë për kryetarë që ndërton rrugë për miqtë dhe bashkëpartiakët e tij, ndërkohë që fshatra dhe lagje të tëra presin ende për infrastrukturë elementare.
Mjaft më me keqpërdorime! Qytetarët e Prizrenit meritojnë llogaridhënie, jo rrugë për parcela private të PDK-së


