Presidenti i Sirisë, Ahmed Shara, ka udhëtuar drejt New York-ut për të marrë pjesë në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai do të bëhet presidenti i parë sirian që mban një fjalim në këtë forum ndërkombëtar pas vitit 1967.
Zyra e shtypit e Presidencës siriane njoftoi se Shara do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme, e cila do të zhvillohet nga 23 deri më 29 shtator në selinë e OKB-së në New York.
Agjencia shtetërore e lajmeve SANA konfirmoi se udhëtimi i presidentit është nisur në kuadër të agjendës zyrtare, duke e cilësuar këtë pjesëmarrje si një ngjarje historike për Sirinë.
Shara është presidenti i parë i Sirisë që do të flasë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që nga koha e ish-presidentit Nureddin el-Atasi, i cili mori pjesë në këtë forum në vitin 1967.


