Një grua 59-vjeçare ka humbur jetën mëngjesin e sotëm në Mitrovicë Veri, pasi dyshohet se ka rënë në kanalin e Ibër-Lepencit.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 07:20 është pranuar informacioni nga Zubin Potoku se një person kishte dalë nga shtëpia në orët e hershme të mëngjesit dhe dyshohej se kishte rënë në kanal.
Pas kërkimeve të njësive policore dhe zjarrfikësve, trupi i pajetë i viktimës është gjetur rreth orës 08:00, tre kilometra larg vendit ku dyshohej se kishte rënë. Viktima është identifikuar me inicialet R.M., 59-vjeçare.
Në vendngjarje kanë dalë ekipi mjekësor dhe njësitë e hetimeve rajonale, ndërsa prokurori i shtetit ka urdhëruar dërgimin e trupit për obduksion.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet relevante, po vazhdon me procedurat e nevojshme ligjore lidhur me rastin.


