Përgatiti, Alban Begolli
Një raport i gazetës prestigjioze amerikane Wall Street Journal ka tronditur opinionin ndërkombëtar.
Sipas këtij raporti, zyrtarë të Turqisë dhe Egjiptit i kishin paralajmëruar udhëheqësit e Hamas-it në Katar disa javë përpara sulmit ajror të Izraelit në Doha, duke u kërkuar atyre të forconin masat e sigurisë, përcjell KosovaNews.
Raporti, i cituar gjerësisht nga media ndërkombëtare dhe turke, thekson se paralajmërimet ishin “të paqarta por të forta” dhe u dhanë në kohën kur Hamas po zhvillonte takime të rëndësishme në kryeqytetin e Katarit.
Pavarësisht këtyre sinjaleve, Izraeli realizoi një operacion ajror masiv, me mbi 10 avionë luftarakë dhe bomba me rreze të gjatë, duke goditur objektivat ku dyshohej se ndodheshin zyrtarë të Hamas-it.
Mediat si Haaretz dhe Times of Israel raportojnë se mesazhet nga Ankaraja dhe Kajro kishin qëllim parandalues dhe kishin ardhur përmes kanaleve diplomatike.
Nga ana tjetër, në Turqi, portale si T24, Haber7 dhe Star e pasqyruan gjerësisht raportin e WSJ, duke konfirmuar se edhe burime palestineze kishin pranuar marrjen e këtyre paralajmërimeve.
Kujtojmë se sulmi izraelit në Doha ka shkaktuar reagime të ashpra diplomatike, me Katarin që denoncoi shkeljen e sovranitetit dhe shtete të tjera që kërkuan shpjegime nga Izraeli.
Nga ana tjetër, Reuters raporton se ky zhvillim ka sjellë tensione të reja në rajon dhe ka komplikuar përpjekjet për marrëveshje armëpushimi.
Megjithëse Wall Street Journal mbetet burimi kryesor i këtij zbulimi, artikulli i plotë është i aksesueshëm vetëm përmes abonimit.
Sidoqoftë, jehona e tij në media ndërkombëtare e ka bërë këtë lajm një nga më të diskutuari në botë./KosovaNews/


