Puna e vrazhdë në stadiumin e qytetit në Gjakovë ka përfunduar dhe tashmë punimet po vazhdojnë me intensitet të madh.
Projekti madhor sportiv po hyn në një fazë vendimtare, duke i dhënë edhe më shumë gjallëri pritjes së qytetarëve dhe sportdashësve gjakovarë.
Pas përfundimit të infrastrukturës bazë, tashmë është nënshkruar kontrata për mbulesën dhe ndriçimin e stadiumit.
Ky zhvillim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt finalizimit të njërës prej veprave më të mëdha sportive të ndërtuara ndonjëherë në vendin tonë.
Investimi në këtë fazë është siguruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke garantuar mbështetje të fortë institucionale për realizimin e plotë të këtij projekti.
Në këtë kuadër, Komuna e Gjakovës ka konfirmuar edhe njëherë përkushtimin e saj për ta çuar deri në fund këtë iniciativë që pritet të kthehet në një krenari për qytetin dhe gjithë Kosovën.


