Është vendosur sot gur-themeli për ndërtimin e stadiumit të ri të Suharekës.Të pranishëm ishin kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministri në detyrë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku e kryetari i komunës, Bali Muharremaj, teksa i gjithë projekti do të kushtojë afro 11 milionë euro.
Kurti tha se stadiumi i kategorisë 2+ sipas standardeve të UEFA-s do të ketë më shumë se 6 mijë e 500 ulëse e projekti.
“Ky është investim i madh kapital, 11 milionë euro dhe tash presim që qytetarët e Suharekës, komuna këtu, ta përcjellin përditë, në mënyrë që punimet të shkojnë mbarë e sa më shpejt. E në fund ndoshta të kryhen edhe para 750 ditëve, ndoshta edhe për më shpejt se dy vjet”- u shpreh ai.Kurti falënderoi klubin e futbollit “Ballkani”, që sipas tij, është frymëzim për ë rinjët që të merren me futboll dhe sport në përgjigjësi.
“Përgëzime sot për Suharekën, sepse tradita sportive është e gjatë e Klubi të Futbollit “Ballkani” e ka ngritur në një nivel tjetër, sidomos sa i përket rezultatit ndërkombëtar. Buxheti për infrastrukturën e futbollit ka kërkuar zotim të veçantë të qeverisë dhe të kryeministrit, për çka e falënderoj, sepse e ka kuptuar rëndësinë që e ka futbolli për shtetin tonë”- tha ministri Çeku, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Si investimin më të madh në infrastrukturë që mbahet në mend në këtë komunë, e cilëson kryetari Muharremaj, projektin e stadiumit me ç’rast shprehet falënderues ndaj Qeverisë në detyrë.“Kjo ditë është shumë e rëndësishme për qytetarët e Suharekës, veçanërisht për gjeneratat e reja dhe Klubin “Ballkani”- përfundoi ai.Në shtator të 2023-tës, Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, kishte publikuar projektin për ndërtimin e stadiumit të qytetit me kapacitet prej rreth 17 mijë ulëse.
Muharremaj kishte potencuar se ekziston edhe lokacioni si parcelë kadastrale në sipërfaqe prej 16 hektarësh.


