Sot ka hyrë në fuqi vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e qarkullimit të trotineteve elektrikë, biçikletave elektrike dhe motoçikletave elektrike në sheshe dhe në të gjitha hapësirat publike ku ka frekuencë të lartë të këmbësorëve.
Ka kohë që qarkullimi i qytetarëve me trotinete elektrike nëpër sheshe dhe hapësira më shumë të frekuentuara nga këmbësorët, është bërë shqetësim për qytetarët.
Ndonëse konsiderohet se e kanë lehtësuar transportin rrugor, trotinetet elektrikë kanë shënuar një rritje të aksidenteve të cilat nuk kanë qenë të lehta. Për këtë, Komuna e Prishtinës ka ndaluar qarkullimin e tyre nëpër sheshe dhe kjo është mirëpritur nga qytetarët.
Megjithatë, ndonëse jo në shesh, nëpër trotuare në rrugët në qendër të Prishtinës është parë se kanë qarkulluar trotinete, përkundër vendimit ndalimin e tyre.
Një vendim i tillë është marrë për shkak të mungesës së një rregulloreje të veçantë. Zyrtarët të Komunës së Prishtinës kanë thënë se po punojnë për hartimin e një rregulloreje që rregullon këtë çështje, e cila së shpejti pritet të dalë në dëgjim publik.


